Bosnjë dhe Hercegovina pranon 10 mijë doza të tjera vaksine të dhuruara nga Turqia

bosnje-dhe-hercegovina-pranon-10-mije-doza-te-tjera-vaksine-te-dhuruara-nga-turqia

Dhjetë mijë doza të tjera të vaksinës kineze Sinovac, donacion nga Turqia në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), kanë arritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vaksinat, donacion shtesë i 30 mijë dozave të dhuruara më 28 mars me porosi të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, u dërguan me një aeroplan ambulancë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Duke folur në aeroport, ministri i Sigurisë i Bosnjë dhe Herzegovinës, Selmo Cikotiç, falënderoi popullin turk dhe ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu dhe tha se vaksinat në fjalë do të përdoren për vaksinimin e atyre që punojnë në institucionet e sigurisë.

Ai tha se programi i vaksinimit i përgatitur nga autoritetet e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk u jepte përparësi forcave të sigurisë, por shtoi se gjatë vizitës së tij në Turqi më 5 prill dhe takimit me ministri Soylu, kishte kërkuar vaksina për agjencitë e sigurisë së vendit të tij.

Cikotiç tha se Turqia edhe një herë dëshmoi se është pranë Bosnjë dhe Hercegovinës në kohëra të vështira.

“Në këtë mënyrë, ne nga njëra anë mundësojmë që forcat tona të sigurisë të kryejnë detyrën e tyre më mirë, dhe nga ana tjetër forcojmë bashkëpunimin ne fushën e sigurisë midis dy vendeve”, shtoi ai.

Ndërkaq, Ambasadori i Turqisë në Sarajevë, Sadık Babür Girgi, rikujtoi se Turqia tashmë e ka ndihmuar Bosnjë dhe Hercegovinën me materiale mjekësore që nga fillimi i pandemisë.

Ai po ashtu tha se javën e kaluar në këtë vend u dërguan ilaçe.

“Ne tregojmë se jemi miq dhe vëllezër me Bosnjë dhe Hercegovinën jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ne tregojmë fqinjësinë tonë. Kjo mbështetje do të vazhdojë gjithmonë”, tha ambasadori turk.

Ndryshe, gjatë vizitës së anëtarëve të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës në Ankara më 16 mars, presidenti turk Erdoğan i premtoi vendit 30 mijë doza vaksine, të cilat arritën në Sarajevë më 28 mars.

Vendi ka porositur 1 milion e 232 mijë doza vaksine në kuadër të programit COVAX. Megjithatë, vonesat në furnizime kanë shkaktuar protesta antiqeveritare në vend.

Deri më tani, në Bosnjë dhe Hercegovinë, vend me 3,5 milionë banorë, janë regjistruar 188.994 raste të të infektuarve me COVID-19, prej të cilëve 7.788 kanë humbur jetën. /aa

The post Bosnjë dhe Hercegovina pranon 10 mijë doza të tjera vaksine të dhuruara nga Turqia appeared first on Mesazhi.com.