Bora rrezikon nisjen e sezonit turistik në Theth të Shqipërisë

bora-rrezikon-nisjen-e-sezonit-turistik-ne-theth-te-shqiperise

Shumë iniciativa u morën nga institucionet për hapjen e rrugës, akoma të zëna nga dëbora, por asgjë nuk u arrit. Këtë fundjavë shumë automjete që tentuan të shkojnë drejt Thethit, u detyruan të ktheheshin pas.

I vetmi mjet që po pastron dëborën është një fadromë, por me ritme të ngadalta. Punëtorët që po hapin rrugën shprehen se ky proces do të vijojë gjatë, pasi janë rreth 15 km të zëna nga dëbora dhe në vende të caktuara si pasojë e orteqeve të rënë trashësia arrin edhe në 10 metra, transmeton Euronews.

“Nga bllokimi i kësaj rrugë kemi filluar punë që më datë 4, e kemi filluar punën nga sipër ballkonit dhe kemi arritur deri këtu për 7 ditë. Trashësia e borës ka vazhduar nga 2 metër, 3 metër, 4 dhe këtu ku jemi edhe 6 është. Nga orteqet shkon deri në 8-9 metra”, u shpreh një punëtor.

“Është shumë punë e zorshme se dhe më parë kur kanë punuar nuk kanë mundur, sepse ka pasur trashësi të madhe bore. Rruga nuk ka udhëzues ndërkohë që në katër metra duhet ta ketë udhëzuesin rruga”, tha një tjetër punëtor.

Ndonëse po afron stina e verës, ende nuk mund të thuhet me siguri kur mund të hapet rruga. Mënyra më e shpejtë është ndërhyrja nga krahu tjetër për të përshpejtuar punimet.

Në segmentin nga Qafa e Thorës deri në Theth kishin nisur investimet për rehabilitimin e rrugës, por edhe ky investim duket se është dëmtuar ende pa përfunduar, si pasojë e ndërhyrjes me mjete të rënda për hapjen e rrugës.

Në rast se nuk do të ketë përshpejtim të punimeve, sezoni turistik për Thethin mbetet i rrezikuar.