Blinken paralajmëron Kinën për “aksionet agresive” ndaj Tajvanit

blinken-paralajmeron-kinen-per-“aksionet-agresive”-ndaj-tajvanit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara pas aksioneve agresive të Kinës kundër Tajvanit. Ai ka paralajmëruar se do të ishte “gabim serioz” për këdo që mundohet të ndryshojë me forcë status quon në Paqësorin Perëndimor.

“Çfarë kemi parë dhe çfarë përbën shqetësim real për ne janë aksionet përherë e më agresive të Qeverisë së Pekinit kundrejt Tajvanit, duke ngritur tensione në ngushtica”, ka deklaruar Blinken në një intervistë për NBC-në.

Pekini ka fajësuar të enjten Shtetet e Bashkuara për tensionet pasi një luftanije amerikane lundroi afër Tajvanit.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë zotim kaherë me Ligjin për marrëdhënie me Tajvanin që të sigurohej që Tajvani të ketë aftësi ta mbrojë veten dhe të ruajë paqen e sigurinë në Paqësorin Perëndimor, ka deklaruar Blinken.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do t’i kundërviheshin ushtarakisht ndonjë aksioni kinez në Tajvan, Blinken ka refuzuar të komentojë situata hipotetike.

“Krejt çfarë mund të them është se ne kemi një zotim serioz ndaj Tajvanit që të mund ta mbrojë veten. Kemi marrë zotim serioz ndaj paqes dhe sigurisë në Paqësorin Perëndimor”.

“Ne qëndrojmë fort prapa këtyre zotimeve. Dhe në këtë kontekst do të ishte gabim serioz për këdo që mundohet të ndryshojë me forcë statusquon”.

Tajvani është ankuar gjatë muajve të fundit për misione të përsëritura nga ana e forcave ajrore të Kinës në afërsi të ishullit, për të cilin Kina pretendon se është i saj.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se po monitoron së afërmi aktivitetet ushtarake të Kinës në Ngushticën e Tajvanit. Uashingtoni i ka cilësuar si potencialisht destabilizuese veprimet e Pekinit.

Po të premten, Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar doracakë të rinj që ua mundësojnë zyrtarëve amerikanë të takohen lirisht me zyrtarë nga Tajvani, hap që thellon marrëdhëniet me Taipein në kulmin e përplasjeve verbale dhe ngritjes së aktiviteteve ushtarake lidhur me ishullin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka thënë se udhëzuesit e rinj erdhën pas një rishikimi të kryer nga Kongresi. Ai njëherësh ka thënë se do të vazhdohet me zbatimin e politikë “një Kinë”, referencë e kahershme e politikës amerikane që e njeh Pekinin e jo Taipein si përfaqësues të krejt territorit.