Biden nënshkruan 17 dekrete në ditën e parë të detyrës

biden-nenshkruan-17-dekrete-ne-diten-e-pare-te-detyres

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në ditën e parë të detyrës së tij nënshkroi 17 dekrete për të kthyer mbrapsht politikat e Donald Trumpit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimit të ceremonive për ardhjen në detyrë, Biden mbërriti në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkroi dekretet e para të tij për të kthyer mbrapsht politikat e shumë debatueshme gjatë periudhës së Trumpit.

Fillimisht Biden nënshkroi dekretin që e bën të detyrueshme vendosjen e maskës për shkak të COVID-19 në ndërtesat dhe kampuset federale.

Biden bisedën e parë telefonike do ta zhvillojë me kryeministrin kanadez
Biden heq ndalesën e udhëtimit për vendet muslimane
Rikthim në marrëveshjet ndërkombëtare

Biden i cili e vendos luftën kundër ndryshimit të klimës në mesin e përparësive të tij, nënshkroi dekretin presidencial për t’u përfshirë sërish në Marrëveshjen e Parisit për Klimën nga e cila u tërhoq Trump i cili mohoi ngrohjen globale.

Gjithashtu Biden nënshkroi edhe një dekret për rikthimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në të cilën Trump ishte tërhequr pas pandemisë së COVID-19.

Anuloi një nga veprimet e para të Trumpit

Presidenti Biden hoqi edhe një nga ndalesat për udhëtim të vendosur ndaj disa vendeve muslimane të cilat Donald Trump i kishte filluar me një dekret të nënshkruar 1 javë pas ardhjes së tij në detyrë.

Po ashtu Biden nënshkroi edhe një dekret për ndërprerjen e fondeve të siguruara për murin e ngritur në kufi me Meksikën i cili ka qenë një prej vendimeve më të debatueshme në periudhën e Trumpit.

Dekret për anulimin e projektit për linjën e tubacioneve të naftës

Biden nënshkroi edhe një dekret për anulimin e projektit të linjës së tubacioneve të naftës Keystone XL të cilën Obama pas 7 vite vlerësimesh e kishte refuzuar në nëntor 2015 për shkak të arsyeve mjedisore dhe të cilën Trump e kishte miratuar.

Parashikohej që projekti i linjës së tubacioneve të naftës prej 2.735 kilometra të kryente transmetimin e rreth 800 mijë fuçive në ditë të naftës kanadeze në rafineritë e SHBA-së në Gjirin e Meksikës.

Në këtë mënyrë Biden që në ditën e parë të detyrës së tij në Shtëpinë e Bardhë nënshkroi gjithsej 17 dekrete.

Në një deklaratë për gazetarët në Zyrën Ovale, Biden tha se Donald Trump i ka lënë atij një letër “shumë bujare” por që nuk do të ndajë përmbajtjen e letrës.

The post Biden nënshkruan 17 dekrete në ditën e parë të detyrës appeared first on Mesazhi.com.