Biden në pushtet shansë “e artë” për Kosovën, kërkohet që qeveria e re ta ketë prioritet dialogun

biden-ne-pushtet-shanse-“e-arte”-per-kosoven,-kerkohet-qe-qeveria-e-re-ta-kete-prioritet-dialogun

Në anën tjetër, janë shtuar zërat brenda Bashkimit Evropian që kërkojnë rifillimin e shpejtë të dialogut me Serbinë.

Në Raportin për Kosovës, PE-ja ka përsëritur se dialogu me Serbinë është prioritet dhe parakusht për pranim në Bashkimin Evropian. Po ashtu është kërkuar angazhim konstruktiv në dialog në kërkim të një marrëveshjeje ligjërisht obliguese.

Ndërsa, ditë më parë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja do ta inkurajojë Qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’iu japë përparësi negociatave me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Emir Abrashi, nga Demokraci Plus, duke folur për lajmi.net ka thënë se Qeveria e re nuk duhet që në asnjë formë ta lejë në hije dhe ta zvarrisë procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas tij, ky insistim i bashkësisë ndërkombëtare mund të shihet edhe nga thirrjet e zyrtarëve evropianë që kjo çështje duhet të vihet në prioritetet e Qeverisë së re.

“Qeveria e re, padyshim, para vetes ka disa sfida me të cilat duhet të ballafaqohet – duke filluar me luftimin e pandemisë COVID-19, vaksinimin e qytetarëve, dhe më pas me efektet anësore të pandemisë në ekonomi. Megjithatë, duke parë insistimin e aleatëve të Kosovës për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, Qeveria e re nuk duhet që në asnjë formë ta lejë në hije dhe ta zvarrisë procesin e dialogut me Serbinë. Ky insistim i bashkësisë ndërkombëtare mund të shihet edhe nga thirrjet e zyrtarëve evropianë që kjo çështje të vihet në prioritetet e Qeverisë së re, por shihet edhe në letrat që Presidenti Biden i ka dërguar edhe Presidentes në detyrë, Znj. Osmani, edhe Presidentit serb, Z. Vuçiq, ku kërkohet njohje e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Abrashi.

Abrashi vlerëson se Kosova duhet ta shfrytëzojë  rastin që në krye të Shtëpisë së Bardhë është një person që e njeh situatën në Kosovë dhe përpos që e mbështet fuqishëm këtë proces,  Biden udhëheqjen e dialogut e ka kthyer prapë në tryezën e diskutimit në Bruksel.

“Andaj, me momentumin e ri të krijuar me ardhjen e Administratës Biden, ku Kosova është në një pozitë më të favorshme në procesin e dialogut, Qeveria nuk duhet që ta humbasë vëmendjen të cilën ne e kemi pritur tash e sa kohë. Përderisa Administrata Obama ka qenë më pak e përfshirë në këtë proces, duke e lënë thuajse tërësisht në përgjegjësi të Brukselit çështjen e dialogut, Administrata Trump pati marrë në duar të saj zgjidhjen e këtij procesi përmes normalizimit të marrëdhënieve ekonomike, por pa koordinim me Brukselin. Kurse tanimë, në krye të Shtëpisë së Bardhë është një person që e njeh situatën në Kosovë dhe këtë e shpreh edhe nëpërmjet letrës drejtuar Presidentes në detyrë, por që edhe ka qenë i involvuar edhe personalisht në zgjidhjen e konflikteve në ish-Jugosllavi. Në anën tjetër, përpos që e mbështet fuqishëm këtë proces, Presidenti Biden udhëheqjen e dialogut e ka kthyer prapë në tryezën e diskutimit në Bruksel”, ka thënë Abrashi.

Prandaj, sipas Abrashit,  Qeveria e re, sapo të formohet, duhet të formojë edhe ekipin e ri negociator të Kosovës, i cili duhet të konsolidohet dhe i cili do të ishte mirë që në përbërje të ketë edhe përfaqësues të opozitës dhe të komuniteteve joshumicë.

Derisa shton se ky ekip duhet të fillojë menjëherë punën për të hartuar strategjinë e dialogimit me Serbinë, “dhe të shkojë në bisedime i përgatitur – duke iu shmangur një praktikë të së kaluarës, kur pala kosovare ka qenë e papërgatitur dhe e gatshme për çfarëdo kompromisi”.

Ai po ashtu thotë se Republika e Kosovës ka humbur mjaftë kohë në procesin e dialogut. Duke përmendur edhe deklaratën e ambasadorit amerikanë “Bota nuk mund të pres”.

“Pra, pjesa më e madhe e shtetësisë sonë është përshkuar nga procesi i dialogut, dhe normalisht që kjo çështje nuk mund të zgjasë pafundësisht, por duhet t’i jepet një epilog këtij procesi. Kështu pra mund të kuptohet edhe deklarata e Ambasadorit amerikan, që “Bota nuk mund të pres”.

Mosprioriteti i Qeverisë për dialogun, sipas Abrashit, padyshim që mund të ndikojë në perceptimin e Kosovës si një aleat joserioz. Derisa shton se Qeveria e re nuk bën ta humbasë këtë mundësi dhe interesim kaq të madh të aleatëve tanë në zgjidhjen përfundimtare të këtij procesi, pasi që, siç tha ai, lëshimi i mundësive dhe kryeneçësia jonë në të kaluarën na ka kushtuar edhe me izolimin e Kosovës dhe mos-liberalizimin e vizave edhe sot e kësaj dite.

Ndërkohë, programin prej 52 faqesh, Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk i ka përmendur bisedimet me shtetin serb. E në disa intervista kandidati për kryeministër, Kurti, e ka përsëritur se dialogu është prioriteti numër katër- pas punësimit drejtësisë dhe pandemisë COVID- 19.

Në anën tjetër zyrtarë të Brukselit kanë thënë se presin angazhim të shpejtë dhe konstruktiv, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.

Edhe Gjermania dhe Franca nëpërmjet ambasadorëve në Prishtinë kanë konfirmuar gatishmërinë ta përkrahin vazhdimin e dialogut, që ndihmon në integrimin evropian të të dyja vendeve.

“Gjermania e Franca urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje në formimin e shpejtë të Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, pasi rezultatet të finalizohen. Gjermania dhe Franca me padurim presin ta përkrahin një agjendë ambicioze të reformave, përfshirë forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë do të vazhdojmë ta përkrahim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Gjermania dhe Franca janë të gatshme për ta përkrahur kontinuitetin e dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë në drejtim të integrimit evropian të dy vendeve”, është shkruar në postimin e tyre.

Kosova dialogon me Serbinë prej vitit 2011 dhe ka nënshkruar rreth 33 marrëveshje. Por shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Ndryshe, VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pritet që të formojë qeverinë e re bashkë me komunitetet joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe. Krijimi i qeverisë pritet të ndodhë pas konstituimit të kuvendit të ri, proces ky që kërkon paraprakisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. /Lajmi.net/