BE vendos objektivin tremujor për certifikatat e vaksinave

be-vendos-objektivin-tremujor-per-certifikatat-e-vaksinave

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se synon të punojë në një qasje të përbashkët për certifikatat e vaksinave për të mundësuar që ata që vaksinohen kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të udhëtojnë lirshëm dhe të integrojnë certifikatat në sistemin shëndetësor dhe kufitar të vendeve anëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësit e BE-së morën pjesë në samitin virtual ku diskutuan përgjigjen e bllokut ndaj sfidave të reja të pandemisë si dhe të ardhmen e politikave të BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe zyrtarë të tjerë mbajtën një konferencë shtypi pas samitit.

Von der Leyen tha se certifikatat mund të jenë në dispozicion deri në verë pasi bllokut i duhen tre muaj për të krijuar një kornizë teknike.

Ajo tha se Komisioni Evropian po punonte për krijimin e një “porte të ndërveprimit midis kombeve” dhe vuri në dukje se do të duheshin rreth tre muaj që Komisioni të vendos sistemin. Presidentja e Komisionit Evropian tha se vendet anëtare do të duhet të veprojnë shpejt, që programi të zbatohet deri në verë.

Michel deklaroi se prioriteti i bllokut ishte përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave dhe vaksinimit. Duke paralajmëruar prodhuesit e vaksinave, ai tha se donin më shumë transparencë për të siguruar që kompanitë farmaceutike të respektojnë zotimet e tyre.

Komisioni Evropian aktualisht po punon për një sistem të certifikatave digjitale të vaksinave, fillimisht për qëllime mjekësore.

Do të jetë në dorën e udhëheqësve të BE-së që të vendosin se kur dhe si dokumenti mund të përdoret për udhëtime pasi të jenë në dispozicion më shumë të dhëna për efektet e vaksinimeve.

Sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të bashkohet me udhëheqësit e BE-së për të diskutuar politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së bllokut.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të flasin gjithashtu për marrëdhëniet e bllokut me vendet si Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Libani, Libia, Maroku, Palestina, Siria dhe Tunizia.

The post BE vendos objektivin tremujor për certifikatat e vaksinave appeared first on Mesazhi.com.