Babai të birin, i biri prindërit e motra gjithë familjen – 6 vrasjet tragjike që ndodhën për një vit brenda familjeve

babai-te-birin,-i-biri-prinderit-e-motra-gjithe-familjen-–-6-vrasjet-tragjike-qe-ndodhen-per-nje-vit-brenda-familjeve

Një ngjarje e rëndë pati ndodhur në janar të vitit të kaluar në qytetin e Prizrenit, shkruan lajmi.net.

Mëngjesi i 22 janarit të vitit që ka shkuar e shokoi Prizrenin. Durim Hatri dhe Suada Hadri në atë mëngjes ishin gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre – vetëm dy ditë pasi çifti kishin ardhur nga Suedia në Kosovë.

Policia dhe prokuroria konstatuan se viktimat ishin vrarë nga arma e zjarrit. Në varrimin e tyre në Prizren mungoi i biri i tyre, gjë që shtoi edhe më tepër dyshimet e para se ai kishte lidhje me këtë rast.

Çdo gjë doli në shesh pas gati dy muajsh nga vrasja kur i biri i tyre, i dyshuari me inicialet A.H u arrestua në Suedi pas urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Arrestohet në Suedi djali që dyshohet se vrau prindërit e tij në Prizren

Motivet e vrasjes që pati shokuar Prizrenin nuk u bënë asnjëherë të qarta përveç se u raportua për mos-marrëveshje familjare midis djalit dhe prindërve.

Pas Prizrenit, një ngjarje tronditëse goditi Gjilanin. Aty një familje e tërë prej pesë anëtarësh u shua brenda pak minutash.

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca më 18 shkurt të vitit 2020 pari vrarë katër anëtarët e familjes së saj në shtëpinë ku po jetonin së bashku dhe në fund e kishte vrarë  vetën.

Bllaca, me armën e saj zyrtare mori jetën babait, nënës, dy vëllezërve dhe në fund vetës së saj.

Për motivet e këtij rasti, policia dhe fqinjët kishin informacione të ndryshme. Sipas fqinjëve, ishte vëllau i Valdete Bllacës, Blerimi ai i cili kishte qëlluar me armë zjarri mbi vëllanë e tij dhe dy prindërit e pastaj, Valdete Bllaca kishte vrarë Blerimin dhe vetën.

Por, derisa të gjithë dëshmitarët në skenën e krimit mbetën të vdekur, provat sugjeruan diçka tjetër, se ishte Valdete Bllaca ajo që kishte vrarë të gjithë anëtarët e familjes e pastaj vetën, megjithëse sipas fqinjëve familja gëzonin raporte të mira mes vete, përveç Blerimit dhe Valdetës, dy të përmendurit që mund të kenë pasur lidhje me armën e përdorur në krim.

Vrasja e pesë personave në Gjilan, gjithçka që dihet për ngjarjen që tronditi Kosovën

Shkurti i vitit 2020 ishte tragjik edhe për qytetin e Rahovecit.

Një vrasje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Bërnjak të këtij qyteti ku vëllau kishte vrarë vëllanë dhe më pas e kishte djegur në oborrin e shtëpisë së tij.

Policia kishte mbërritur në vend-ngjarje, por i dyshuari 59 vjeçar i kishte gënjyer se tymi në oborr po del si pasojë e djegies së bërllokut.

E motivet e rastit në Bërnjak të Rahovecit u mësuan shpejt. Viktima 64 vjeçar i cili kishte ardhur nga Zvicra gjatë muajit shkurt për pushime në Kosovë ishte përleshur verbalisht me dorasin për një shumë të parave që i ndjeri i kishte sjellë me vete në Kosovë.

Disa ditë pas rastit, gruaja e të ndjerit e kishte raportuar si të zhdukur burrin e saj me të cilin nuk po mund të kontaktonte në asnjë mënyrë. E kështu, policia menjëherë e lokalizoi rastin.

Sipas analizave të ADN-së u gjetën pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika u dërguan për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore nga ku u vërtetua edhe krimi.

Horrori në Rahovec: E dogji vëllanë në oborrin e shtëpisë, pastaj gënjeu policinë se po djeg bërllok

E në dhjetor të vitit 2020 ndodhi një rast tjetër i rëndë, përsëri në qytetin e Prizrenit.

Të telefonuar për një rast të përleshjes dhe dhunës në familje, policia e Kosovës kur mbërritën në vendin e ngjarjes panë një skenë krejtësisht tjetër.

Në vendin e ngjarjes, policia kishin arrestuar personin M.H, rreth 30 vjeç i cili kishte sulmuar babain e tij me thikë.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima (prindi) rreth 50 vjeçar kishte ndërruar jetë. Motivet e rastit mbetën të paqarta për publikun.

Tjetër ngjarje tragjike në Prizren: Djali vret me thikë babanë e tij

E pak para ndërrimit të moteve një ngjarje e rëndë goditi Vitinë.

Në fshatin Pozheran, kryefamiljari Fetahu 45 vjeç, i privoi nga jeta gruan Makifiren dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, Hamdiun e Arbërin dhe pastaj edhe vetën.

Familjarët e Fetahut të nesërmen folën edhe për mediat edhe me policinë por të njëjtit thanë se nuk kishin vërejtur mosmarrëveshje në familjen e tij.

Policia e cilësoi këtë rast si vrasje dhe vetëvrasje, ndërsa vëllau i Fetahut tha se i njëjti kishte pasur sjellje normale gjatë kohës sa ishte duke qëndruar në Kosovë.

Së këndejmi, motivet e kësaj ngjarje tronditëse nuk u kuptuan ende, por një familje e tërë u shua brenda një nate.

Vrasja e katërfishtë në Pozheran, flet vëllau i dorasit: Gjithçka ndodhi brenda dy minutave

Një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur të mërkurën mbrëma të 27 janarit 2021 në Prishtinë ku babai vrau djalin e tij.

Bëhet fjalë për vrasjen e të riut Albert Krasniqi i cili ishte një person i njohur për publikun si burri i ish-missit Besa Gashi, për sherrin e tij me reperin Noizy dhe për të qenit i përfshirë si menaxher i disa artistëve në Kosovë.

E për vrasjen e Krasniqit i dyshuari kryesor është babai i tij i cili sipas burimeve të lajmi.net menjëherë pasi e kishte vrarë të birin i kishte telefonuar policinë dhe iu kishte drejtuar me fjalët “ejani se e vrava djalin”.

Për motivet e kësaj vrasje ka thashëtheme se viktima kishte ushtruar presion ndaj familjes së tij për t’ia plotësuar kushtet që i kërkonte, por lajmi.net ka marrë informacione se Krasniqi ishte në kërkim nga policia për dhunë ndaj gruas së tij.

Megjithatë, motive të konfirmuara të rastit nuk ka, por kjo mbetet një nga rastet tronditëse që e kanë goditur shoqërinë në Kosovë brenda një viti kohë. /Lajmi.net/ 

“Ejani se e vrava djalin” denoncimi i babait për rastin e sotëm në Prishtinë