Avokatja e Krasniqit indinjohet me Specialen: Po e mbani në burg një 70-vjeçar të pensionuar, e keni bërë rregull

avokatja-e-krasniqit-indinjohet-me-specialen:-po-e-mbani-ne-burg-nje-70-vjecar-te-pensionuar,-e-keni-bere-rregull

Ajo ka dërguar parashtresa në gjykatë me kundër-argumente ndaj pretendimeve të Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Krasniqit, shkruan lajmi.net.

Njëra ndër pikat ku është fokusuar ajo është “përsëritja e veprave penale”, që rëndom përdoret si argument nga Prokuroria në rast të lirimit të ndonjë të pandehuri nga paraburgimi.

“Duke zbatuar testin e duhur për faktet, neni 41 (6) (b) (iii) është i kënaqur vetëm nëse ekziston rreziku që z. Krasniqi të përsërisë aktakuzën, pra ndaj persekutimit, burgimit, torturës, akteve të tjera çnjerëzore, vrasje ose zhdukjen me forcë ose krimet e luftës të arrestimit arbitrar, keqtrajtimit, torturës ose vrasjes. Vetëkuptueshëm nuk ka. Nuk ka konflikt të vazhdueshëm të armatosur ose sulm të përhapur / sistematik ndaj një popullate civile. Ky interpretim nuk do të asnjanonte nenin 41 (6) (b) (iii), meqenëse juridiksioni i DSK nuk është i kufizuar në krimet ndërkombëtare”, thotë Alagendra në parashtresat e saja.

Ajo tutje thotë se gjyqtari i Procedurës Paraprake dhe Prokuroria e Specializuar gabuan “krejtësisht” kur konstatuan se Krasniqi mund t’i përsërisë krimet e supozuara dhe përmendura në aktakuzë.

Alagendra përmend edhe kohën e kaluar në paraburgim të Jakup Krasniqit, e cila po i afrohet 365-ditëshit, si dhe afatet e pasakta të dhëna nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të nisur gjykimi.

Sipas saj, qëndrimi në paraburgim për një kohë kaq të madhe bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë.

Avokatja e Krasniqit tregohet shumë e ashpër me Prokurorinë dhe Gjykatën, duke vënë në pah se ish-zëdhënësi i UÇK-së është 70-vjeçar dhe ai nuk mund t’i transmetojë dikujt informacione apo të komunikojë me të edhe nën masën e kushteve.

Sipas argumentimit që ajo bën, tanimë Specialja paraburgimin e Krasniqit e ka shndërruar në “rregull” dhe jo në “përjashtim”, shkruan tutje lajmi.net.

“DSK u krijua për të mbrojtur të drejtat themelore dhe për të siguruar procedime të drejta penale, përfshirë  rregullimin e paraburgimit. Paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi duhet të justifikohet në bazë të meritave të tij individuale. Arsyetimi i rrallë në Vendimin e kundërshtuar është i pamjaftueshëm për të justifikuar vazhdimin e ndalimit të një burri 70-vjeçar në pension, i cili supozohet i pafajshëm dhe i cili tashmë është burgosur për 8 muaj pa e parë personalisht familjen e tij. Nëse mundësia spekulative që z. Krasniqi mund t’i transmetojë dikujt një informacioni pavarësisht se i ka vënë kushte të rrepta, është e mjaftueshme për të mohuar lirimin e përkohshëm, atëherë paraburgimi ka pushuar së qeni përjashtim dhe është bërë rregull. Z. Krasniqi duhet të lirohet”, ka shkruar ajo në apelin e saj.

Vlen të përmendet se apeli i Krasniqit është pranuar pjesërisht nga Apeli i Speciales.

Pjesa e pranuar e apelit të ish-zëdhënësit të UÇK-së ka të bëj me garancinë e dhënë nga Policia e Kosovës se ajo është e gatshme të monitorojë kushtet nën të cilat pranohet lirimi nga paraburgimi.

Lajmi.net raportoi dje se drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, nuk ka dhënë garancë të mjaftueshme për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, dhe se për këtë ai mund të merret në pyetje nga Gjykatësi Paraprak i Speciales, i cili do ta pyes atë në detaje për kapacitetet e forcës policore të shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/

Drejtori i Policisë nuk dha garanci të mjaftueshme për mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së në Hagë, Gjyqtari mund ta marrë në pyetje