Austria do t’ia dhurojë Ballkanit Perëndimor 651.000 vaksina Pfizer, a do të jetë edhe Kosova në këtë listë?

austria-do-t’ia-dhuroje-ballkanit-perendimor-651.000-vaksina-pfizer,-a-do-te-jete-edhe-kosova-ne-kete-liste?

Komisioni Evropian e vuri në pah planin për mekanizmin e ndarjes së vaksinave në janar të këtij viti. Austria tha se do të shërbejë si koordinatore e këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se dërgesa e parë e dozave mund të pasohet nga dërgesa të tjera, shkruan Reuters.

Serbia e ka një prej shkallëve më të larta të vaksinimit në Evropë, por katër shtetet tjera që s’janë anëtare të BE-së nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria kanë pasur më pak sukses në këtë drejtim. Në Bosnjë, mungesa e vaksinave ka çuar në protesta.

“Me këtë nismë po tregojmë se nuk po e lëmë prapa këtë rajon”, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg. Vendi i tij ka raporte të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Jashtme e këtij shteti tha se autoritetet austriake i kanë negociuar marrëveshjet mes kompanive “Pfizer” e “BioNTech” dhe shteteve pranuese. Austria do të ofrojë financim ndërmjetësues prej 11 milionë eurosh, ndonëse dozat do të paguhen nga fondet e BE-së për vendet kandidate për anëtarësim.