Amnesty International i rikthen Navalnit statusin e “të burgosurit politik”

amnesty-international-i-rikthen-navalnit-statusin-e-“te-burgosurit-politik”

Amnesty International të premten i kërkoi falje kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny për heqjen e statusit të tij si “i burgosur i ndërgjegjes” dhe tha se do i kthente përcaktimin e mëparshëm.

Amnesty International njoftoi më 24 shkurt se nuk do t’i referohej më Navalnit si i burgosur politik me arsyetimin se në të kaluarën ai kishte bërë komente që nxisnin urrejtjen.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm, Amnesty International vendosi ta ri-përcaktojë Alexei Navalnin si një “të burgosur të ndërgjegjes””, thuhet në një deklaratë që Amnesty International ia dërgoi me email agjencisë së lajmeve Reuters.

Amnesty International tha se qeveria ruse dhe mbështetësit e saj kishin përdorur vendimin e 24 shkurtit për të shkelur më tej të drejtat e Navalnit, një kritik i zëshëm i Presidentit Vladimir Putin.

Politikani 44 vjeçar i opozitës ruse u arrestua në janar dhe u dënua me burgim për shkelje të masës së lirimit me kusht, që ai e ka quajtur një akuzë të trilluar.

“Amnesty International mori një vendim të gabuar … dhe kërkon falje për ndikimin negativ që vendimi i saj ka patur mbi vetë Alexei Navalnin, aktivistët në Rusi dhe ata në të gjithë botën që po angazhohen pa u lodhur për lirimin e tij”, thuhet në deklaratën e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Leonid Volkov, shef i personelit të Navalnit, tha në Twitter se “aftësia për të njohur gabimet dhe për të ecur përpara është gjëja më e rëndësishme që i dallon njerëzit normal nga ata që janë të ngjashëm me Putinin”.

Qeveria ruse kishte mbyllur zyrat të premten për shkak të një feste kombëtare.

Navalni është kritikuar për deklaratat e kaluara nacionaliste kundër imigracionit të paligjshëm dhe për pjesëmarrjen në një marsh vjetor nacionalist disa vjet më parë.

Amnesty International tha se ajo kishte rishikuar procesin e saj të përcaktimit të njerëzve si të burgosur të ndërgjegjes dhe nuk do të hiqte më këtë status bazuar vetëm në sjelljet e kaluara.

“Disa nga deklaratat e mëparshme të Navalnit janë të dënueshme dhe ne nuk i falim aspak ato, duke rikthyer statusin e tij si një i burgosur i ndërgjegjes, ne nuk po mbështesim programin e tij politik, por po theksojmë nevojën urgjente për respektimin e të drejtave të tij”, thuhet në deklaratën e Amnesty International. /voa

The post Amnesty International i rikthen Navalnit statusin e “të burgosurit politik” appeared first on Mesazhi.com.