Ambasada e SHBA-ve flet për “Non-Paper”, citon deklaratën e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë

ambasada-e-shba-ve-flet-per-“non-paper”,-citon-deklaraten-e-zedhenesit-te-shtepise-se-bardhe

Në këtë draft-dokument flitet për marrëveshjen Kosovë-Serbi, si dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes dy shteteve por edhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Nga Qeveria e Kosovës së drejtuar nga Albin Kurti nuk kanë dashur ta komentojnë këtë çështje, derisa reagime pati nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde si dhe nga Ambasada e Francës.

Publikimi i dokumentit të ashtuquajtur ‘non-paper’ ku flitet për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe theksohet se do të ketë njohje të integritetit dhe sovranitetit territorial të të dyja vendeve, nxiti reagime të shumta.

Në këtë dokument për ndryshim kufijsh ku thuhej se është nismë gjermano-francez, thuhet se procesi i dialogut duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.

Lidhur me gjithë këtë situatë të krijuar, lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, por nga Ambasada e Amerikës kanë deklaruar se qëndrojnë prapa deklaratës së dhënë nga përfaqësuesi i shtetit amerikan, Ned Price ku theksohet se spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kërcënojnë dhe destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan sipas linjave etnike kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme”, u tha në deklaratë.

Gjithashtu u theksua se “Një e ardhme e qëndrueshme, e begatshme për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundim të ligjit, demokraci shumetnike dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.

Lidhur me publikimin e këtij dokumenti fillimisht reagoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se ky dokument nuk është nismë gjermano-franceze.

“E ashtuquajtura “non paper” gjermano-franceze e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është gjermano-franceze. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, tha ambasadori Rohde.

Edhe ambasada e Francës në Kosovë, reagoi duke thënë se Franca e Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit “non-paper”.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit non-paper franko-gjerman, botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështetim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.

Duhet përkujtuar që çështja e ndryshimit të kufijve flitet ndër vite në Kosovë, por që gjatë gjithë kohës është kundërshtuar si nga drejtuesit e shtetit si ashtu edhe nga aleatët e Kosovës.

Ndryshe kryeministri i vendit, Albin Kurti udhëton sonte drejt Brukselit ku do të zhvillojë disa takime radhazi me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Para nisjes së tij në Bruksel, Kurti ripërsëriti që dialogu Kosovë-Serbi nuk është në tri top-prioritetet e tij qeverisës.

Edhe pse nga Qeveria Kurti nuk u bë e ditur nëse do të ketë një takim në mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ditëve të fundit nga BE u theksua se 11 maji është dita kur pritet që Kurti dhe Vuçiq të takohen për të rifilluar dialogun e mbetur ‘peng’ në mes Kosovës dhe Serbisë./Lajmi.net/

Lexo edhe:

“Non paper”, distancohet BE-ja: Dokumentet e tilla nuk shprehin pozicionet tona