A u “shkri” Vjosa Osmani në Vetëvendosje me qëllimin për t’u bërë bartëse e listës?

a-u-“shkri”-vjosa-osmani-ne-vetevendosje-me-qellimin-per-t’u-bere-bartese-e-listes?

Ideja e bashkëpunimit midis Vjosa Osmani dhe LVV-së së Albin Kurtit nuk ka qenë vetëm parazgjedhore, por ekziston qysh nga koha kur Osmani ishte kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Por, iniciativa e Osmanit për themelimin e një liste zgjedhore dhe koalicionit me LVV-në nuk u realizua. Ajo u shkri me deputetët e saj në listën e Vetëvendosjes për deputetë. Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur flitej se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë Hoti do t’ia pamundësonte edhe Kurtit të kandidonte për deputetë.

Parë nga ky këndvështrim, lind pyetja nëse në krejt këtë ka pasur një lojë të Osmanit e cila mund të bëhet eventualisht bartëse e listës në partinë e ish-kryeministrit Albin Kurti?

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për lajmi.net është shprehur se Osmani nuk ka bërë një deklarim të tillë dhe se asaj nuk do t’i lejohet ta udhëheq Vetëvendosjen.

Tutje, Burjani thotë se nëse Kurti nuk do të jetë bartës i listës, atëherë ai do të zgjedh një njeri të besueshëm të tij.

“Vjosa Osmani nuk ka bërë një deklarim të tillë dhe asaj nuk do t’i lejohet të udhëheqë VV-në, duke pasur parasysh se VV nuk ka njerëz professional që janë të besueshëm të Kurtit atëherë kjo udhëheqje do t’i ofrohet dikujt tjetër që nuk ka fare kapacitet për proceset që po vijnë por për shkak të besimit që ka Kurti.”, tha Burjani për lajmi.net.

Tutje, Burjani është shprehur se përveç kësaj, VV pa Kurtin nuk ekziston si parti e as si Lëvizje dhe së këndejmi, ai tha se vetëm Kurti është i aftë ta luaj rolin e shpëtimtarit tek qytetarët të cilët janë të mllefosur.

“Por, veç kësaj mund të ketë zvarritje dhe ngërq me muaj për themelimin e institucioneve të reja. VV pa Kurtin nuk ekziston si parti e as si lëvizje, duke pas parasysh se Albin Kurti paraqet mllefin këta tjerët nuk janë si ai dhe me frymë të njëjtë të një fjalori që ka që sillet përreth se gjithçka është keq dhe se Kosova ka nevojë për shpëtimtar, pra rolin e shpëtimtarit përreth se gjithçka është keq dhe se Kosova ka nevojë për shpëtimtar, pra rolin e shpëtimtarit nuk mund ta laujnë asnjë e Albini kjo po i bie që na pret një ngërq, konfuzitet, paqartësi institucionale dhe me këtë ngërq që do të vijë tentativa është e fuqishme e LDK dhe PDK përderisa Albini do të jetë në këtë garë me ata.”, tha Burjani.

Ai gjithashtu është shprehur se nëse VV do të hyjë në zgjedhje pa Kurtin, dikush nga VV duhet t’i prijë VV-së, por sipas tij, këto zgjedhje është më mirë të shtyhen sesa të mbahen.

“Listës së VV-së do t’i prijë VV këtu s’ka dilemë e as dyshim. Kjo është e qartë dhe do të jetë veç nëse VV do të hyjë në zgjedhje pa Kurtin. Kështu si është e dukshme këto zgjedhje është më mirë të shtyhen sesa të mbahen.”, tha ai më tutje.

Ndër të tjera, Burjani tha se refuzimi i VV-së për të hyrë në zgjedhje pa Kurtin e sjell një momentum të njëjtë politik të zvarritjes së vazhdueshme për marrjen e përgjegjësive nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Refuzimi i VV-së për të hyrë në zgjedhje nëse veç nuk don me pa Albinin sjell momentum të njëjtë politik, zvarritja e vazhdueshme e marrjes së përgjegjësisë nga VV dhe tentativa për të sharë të tjerët mund të jetë e zbehur dalë ngadalë. Kosova siç e dini për momentin nuk ka personalitet e as partitë institucionale që vendimet nuk i nxjerr një njeri por shumë njerëz dhe institucionet e shtetit.”, tha Burjani për lajmi.net.

Në anën tjetër, ditët e fundit kur po diskutohet për bartësin e listës së Lëvizjes Vetëvendosje janë përmendur emra nga më të ndryshmit. Njëri prej tyre është edhe ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi e gjithashtu edhe njeriu më i afërt i Kurtit në VV, Glauk Konjufca.

Përveç Osmanit, si mundësi për t’u bërë i pari i VV-së në këto zgjedhje është përmendur edhe ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia por edhe emri i ish-ministrit të Financave, Besnik Bislimi.

Mbetet të shihet ditët e ardhshme se cili do të jetë vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, por kreu i kësaj partie, Albin Kurti ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet ta dëgjojnë vullnetin e popullit dhe ka ripërsëritur se është bartës i listës së Vetëvendosjes pavarësisht vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili vjen si pasojë e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit ka specifikuar se nuk kanë të drejtë kandidimi në zgjedhje deputetët të cilët kanë pasur probleme me ligjin për 3 vitet e fundit dhe njëri nga 47 të tillë të identifikuar në listat zgjedhore është edhe lideri i VV-së, Albin Kurti. /Lajmi.net/