A do ta sigurojë Vjosa Osmani votën e 80-të?

a-do-ta-siguroje-vjosa-osmani-voten-e-80-te?

Dy tentativa për zgjedhjen e presidentit të ri të vendin, dështuan mbrëmë gjatë seancës së jashtëzakonshme në mungesë të kuorumit. E kjo seancë u shty për ditën e sotme, e cila pritet të nis në ora 17:00

Ndonëse në sallë kishte kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, prej 82 deputetësh, në kutin e votimit u vendosën vetëm 79 vota. Kjo pasi tre deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj nuk luajtën nga vendi për të votuar.

Në dy votimet e raundit të parë votuan njëherë 78 e pastaj me ardhjen e deputetes së LDK-së Valentina Bunjaku u bënë 79 deputetë, përfshirë këtu edhe Albena Reshitajn e AAK-së.

Edhe pse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte vendosur që të mos jetë në seancën e thirrur për votimin e presidentit, Reshitaj mbrëmë hodhi votën e saj në kutin e votimit për presidentin e ri.

Por, kjo nuk mjaftoi, përveç mos votimit të treshes së LDK-së, seanca dështoi edhe për faktin se në sallë nuk u panë as dy deputetët nga komunitetet pakicë, Adem Hoxha, i Partisë së Goranëve të Kosovës dhe deputeti tjetër nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi që kanë dështuar në momentin e fundit, duke mos marrë pjesë më seancë.

Por, pavarësisht se PDK-ja kishte paralajmëruar bojkotimin e seancës për presidenten, mbrëmë deputeti Xhavit Haliti deklaroi se nuk ishte në dijeni për mbajtjen e seancës, për ndryshe do të ishte prezent.

Tashmë ka mbetur në dorën e VV-së dhe grupit të Vjosa Osmanit në Kuvend që të sigurojnë edhe një votë, në mënyrë që sot të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Ndryshe, sot ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur sot se nuk kanë pasur kontakte me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin, në mënyrë që ta sigurojnë votën e 80-të për kandidaten e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmanin.

Mbetet të shihet nëse sot në orën 17:00 do të ketë vazhdim të seancës dhe nëse LVV dhe Vjosa Osmani do të sigurojë kuorumin dhe votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit.

The post A do ta sigurojë Vjosa Osmani votën e 80-të? appeared first on Mesazhi.com.