17 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

17-vjet-nga-tragjedia-e-maturanteve-te-malisheves

Autobusi që po barte 15 maturantët që s’janë më dhe 34 shokë të tyre që u lënduan rëndë, u rrokullis dhe ra në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës.

Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.

Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.