​Szunyou për Asociacionin: Duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet

​szunyou-per-asociacionin:-duhet-zbatuar-te-gjitha-marreveshjet

Kurti tha se për raportin do të flasë vetëm për gjashtë muajt e qeverisjes së tij për çka u shpreh se sipas raportit në këtë periudhë është arritur progres. Ndërsa, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë edhe ajo për asociacionin.

Shefi i ekzekutivit kosovar lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tha se kjo është një pyetje e vjetër që nuk ka përgjigje të re pasi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por edhe vetë Kushtetuta e Kosovës nuk lë hapësirë për një për solucione mono-etnike.

Kurti ka folur për punët e bëra në këta gjashtë muaj të qeverisjes e për të cilat tha se kanë krijuar një stabilitet institucional dhe me besueshmëri të lartë nga ana e qytetarëve. Ai tha se nga koha kur kanë ardhur në krye të Qeverisë, kanë shkatërruar 29 grupe kriminale dhe kanë intensifikuar luftën kundër kontrabandës.

“Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional legjitimitet demokratike dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve e që përbënë progres të madh shoqëror që do e kishin zili jo vetëm vendet e rajonit por edhe jo pak vende anëtare të BE-së. Në fushën e sundimit të ligjit në këta gjashtë muaj, apo rreth 200 ditë, kemi marr 320 vendime në mbledhje të qeverisë prej tyre 60 projektligje kurse janë ë miratuar 12 draft-ligje, dy koncept-dokumente një strategji dhe një rregullore… Natyrisht rruga drejt BE-së kërkon reforma e arritje të mëdha, por në këta muaj të qeverisjes sonë ne kemi dëshmuar se jemi në rrugën dhe drejtimin e duhur e në këtë rrugëtim to ecim së bashku në partneritet dhe me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ndërsa ambasadori Tomas Szunyog tha se Raporti i Progresit thotë se duhet të zbatohet të gjitha marrëveshjet përfshirë edhe atë të vitit 2013 për asociacionin, por sipas tij se në ç’forme do të krijohet, i takon palës kosovare.

“Natyrisht, si BE dhe kjo është edhe në raporti zbatimi I të gjitha marrëveshjeve dhe kjo përfshinë edhe marrëveshjen nga viti 2013 dhe do të dëshiroja t’ia përkujtoj të gjithëve se marrëveshja e 2013-tës nuk është dakorduar dhe negociuar vetëm në kuadër të dialogut, por është dakorduar edhe nga Parlamenti i Kosovës, pra me një shumicë kushtetuese dhe është pra një ligj i këtij vendi që nëse flasim për sundimin e ligjit parimet duhet të zbatohen dhe gjithashtu do të shtoja se kjo i takon Prishtinës palës kosovare që të sugjeroj mënyra se si të zbatohet natyrisht që ne jemi në dijeni për vendimin e Gjykatës Kushtetuese kemi parasysh që me ç’rast fjala vlerëson marrëveshje të ndryshme nga 2013 jo vetëm ato të 2013, por edhe njëherë është një ligj që është i pranishëm dhe nëse ligjet duhet të zbatohet dhe të gjitha ligjet duhet të zbatohen, i takon palës kosovare që të sugjeroj se si saktësisht dhe në çfarë mënyre dhe në ç’formë do ta marrë këtë dhe nëse jo natyrisht mendoj se duhet edhe njëherë të ngritet në BE dhe Bruksel dhe të diskutohet,” tha ai.

Duke folur rreth formimit të asociacionit, kryeministri Albin Kurti tha se kjo është një pyetje e vjetër për të cilën nuk mund të ketë përgjigje të re.

“Kjo është një pyetje e vjetër për të cilët unë nuk mund të kem përgjigje të re pra edhe aktgjykimi i Kushtetueses i publikuar më 23 dhjetor 2015 edhe peticioni me mbi 200 mijë qytetarë në vitin 2015 edhe fryma e Kushtetutës dhe institucioneve tona nuk lë hapësirë për solucione mono-etnike dhe kjo nuk do thotë që ne nuk i dëgjojmë me vëmendje kërkesat e qytetarëve serbë në Kosovë, të cilat për neve janë krejtësisht të tjera edhe për nga forma edhe për nga përmbajtja me aspiratat e Beogradit. Unë jam kryeministër i Kosovës dhe iu shërbej të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike”, u shpreh Kurti.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se në Raportin e Progresit thuhet për një përparim të kufizuar të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në kritere dhe kërkon zbatimin e reformave komplekse në mënyrë që të merren përsipër obligimet për anëtarësim në mënyrë që procesi të ecën përpara, ka nevojë që të realizohet rezultate të përgjithshme dhe të arritshme në fushën e sundimit të ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit siguri në të drejta fundamentale, reforma të administratës publike dhe konkurrueshmëria. Në Kosovë raporti jep mirënjohje për përparimin e bërë në disa nga fushat… Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka parë përparim të kufizuar dhe duhet të ketë hetime dhe vendime përfundimtare në gjykatë dhe konfiskim të aseteve. Ka pasur rehabilitim dhe integrim të luftëtarëve terroristë dhe familjeve të tyre ka një kornizë ligjore që garanton të drejta ligjore dhe fundamentale”, tha ai.

Ndërsa, lidhur me vlerësimin e raportit se me urgjencë duhet të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shefi i Zyrës së BE-së tha sa më shpejt që arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse është më mirë, por kjo varet nga të dyja palët.

“Në përgjithësi mund të them se dialogu është duke vazhduar meqë ra fjala me ekspertët do të takohen për çështjen e targave të veturave në Bruksel, kështu që ka kontakte teknike dje diskutime nëpër disa çështje specifike sa i përket aspekteve më të përgjithshme dhe temave të nivelit të lartë politik më duhet të them se BE vetëm e ndërmjetëson dialogun, dhe varet se si do të bien dakord për shpejtësinë e atyre negociatave, por edhe për agjendën e negociatave, kështu që nga këndvështrimi ynë, natyrisht, sa më shpejt të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese, aq më mirë, por varet nga dy palët se si ata janë gati të bien dakord për agjendën dhe ritmin e negociatave”, tha ai.

I pyetur për reagimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri, ambasadori Szunyog tha se BE nuk vë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit.

“Nuk shoh kundërthënie në këto kërkesa dhe raporte, me deklaratën e lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Si BE nuk e vëmë në pyetje çështjen e luftës kundër korrupsioni dhe krimit të korrupsionit kjo është diçka që e konsiderojmë të rëndësishme dhe i bëjmë thirrje Qeverisë të Kosovës që të vazhdojë dhe intensifikoj përpjekjet në këtë drejtim. Kur kemi pasur çështje më raste specifike ka qenë propercionaliteti dhe gjithashtu në aspektin e komunikimit të këtij operacioni kanë qenë dy çështje specifike që kanë ngreh në pyetje dhe tani ka dal edhe deklarata. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovë që të vazhdojë me këto përpjekje dhe reforma, të vazhdojë me këtë qëndrim aktiv për problemin i cili është jo vetëm për Kosovën, por mbarë rajonin”, tha ai.

Sa i takon procesit të vettingut, i cili paraqitet si shqetësim në Raportin e Progresit për Kosovën, shefi i Zyrës së BE-së tha se janë duke e analizuar këtë dokument, por që mendimi i tyre është që të përdoren instrumente të tjera që nuk janë përdorur për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.