​Osmani e Konjufca nga Makoci kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës

​osmani-e-konjufca-nga-makoci-kerkojne-drejtesi-per-viktimat-e-luftes

Osmani e Konjufca derisa kujtuan martirët dhe dëshmorët e kësaj ane kërkuan edhe drejtësi për viktimat, duke theksuar se nuk do të ketë qetësi derisa kriminelët serbë të mos dënohen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se regjimi gjenocidial serbë nuk kurseu as fëmijët. Ajo theksoi se ndërgjegjja e popullit nuk do të jetë e qetë derisa nuk do të ketë drejtësi për secilën nga viktimat e luftës në Kosovë.

“Siç e dini sot përkujtohet dita e Dëshmorëve të Prishtinës e në veçanti edhe të martirëve të Gollakut të cilët rreth këtyre datave pra , ndërmjet 19 dhe 23 prillit ishin viktima të regjimit gjenocidal serb i cili edhe njëherë tregoi mizorin e tij duke mos kursyer edhe fëmijët madje të moshës 7 vjeçare e deri te pleqtë e moshave 98 vjeçare. Edhe sot nga këtu të gjithë së bashku e ngrisim zërin në kërkesën tonë të drejtë, në kërkesën tonë për drejtësi të viktimave të gjenociditit sepse ndërgjegjja jonë si popull asnjëherë nuk do të jetë e qetë përderisa nuk do të ketë drejtësi për secilën nga viktimat e luftës në Kosovë”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit të Kosovës. Konjufca është shprehur se është përgjegjësi e përfaqësueseve të institucioneve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që është e mundur që drejtësia të vihet në vend.

“Në vitin 1999, pra 22 vite më përpara regjimi gjenocidal i shtetit të Serbisë i vrau dhe i ekzekutoi mbi 115 martirë të kësaj treve. Pra ky është akt i qartë i gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës, pra qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë e as pleqtë. Çfarë është më e keqja, pas kësaj që ndodhi për 22 vite me radhë nuk ka pas drejtësi për këta martirë që u vranë prej regjimit të shteti serb. Është përgjegjësi e çdo përfaqësuesi institucional të republikës sonë që të bëjë çdo gjë që është e mundur ashtu që drejtësia të vihet në vend. Meqenëse as këta martirë nuk mund të prehën të qetë, e as zemrat e familjarëve që i dhanë më të dashurit e tyre të jenë të qeta përderisa kriminelët të mos e vuajnë dënimin tyre për gjitha këto krime të gjenocidit që kanë kryer në Kosovë”, tha Konjufca.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë bërë sot homazhe edhe tek varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.

Osmani po ashtu ka bërë homazhe edhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.