​Mbështetja e Parlamentit Evropian për Kosovën nuk pritet të rezultojë me liberalizim të vizave

​mbeshtetja-e-parlamentit-evropian-per-kosoven-nuk-pritet-te-rezultoje-me-liberalizim-te-vizave

Sipas tyre, Parlamenti Evropian nuk obligon Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian për një gjë të tillë, çka bënë që lëvizja e lirë e qytetarëve të mbetet peng, sidomos i vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se është e padrejtë që Kosova të jetë vendi më i izoluar i Evropës, kur dihet se kjo e fundit ka plotësuar kushtet dhe detyrat e dhëna në periudha të gjata.

“Sa i përket liberalizimit të vizave është sinjal i mirë kjo përkrahje në Parlamentin Evropian, por është një deklaratë e përsëritshme, që efektin nuk e ka të madh, pasi që deklaratat dhe rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë obligative për shtetet anëtare dhe Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian. Kësisoj, liberalizimi i vizave mbetet peng, sidomos i vendeve anëtare të cilat duhet ta japin miratimin e tyre, dhe në këtë moment nuk është në dorën e Kosovës të vendosë diçka në këtë drejtim, përpos që t’i kryej detyrat dhe të vazhdojë një imazh të mirë sidomos në luftën kundër korrupsionit… Mbetemi vendi më i izoluar në Evropë dhe marrë parasysh edhe numrin e banorëve, edhe kontekstin politik e ekonomik, ka vende që janë edhe më keq e janë të liberalizuara në kuptimin e lëvizjes së lirë dhe të tregut”, thotë ai.

Profesori universitar, Afrim Hoti thotë se shqetësimet e Këshillit të Ministrave kanë kaluar secilin kusht dhe se çështja e vizave është stërvonuar.

“Unë besoj se çështja është krejtësisht politike sepse në kuptimin procedural dhe nisur nga raporti që kemi nga Komisioni Evropian, që konstaton plotësimin e kritereve, atëherë mendoj se vërtetë kjo çështje do të duhej harruar deri më tash. Si duket ka probleme të tjera pulitke, të cilat nuk po munden me i tejkaluar disa vende të BE-së, për ta marrë liberalizimin… Prandaj, edhe nëse zvarritet, eventualisht nëse nuk marrim liberalizimin, nuk do të befasohesha”, thotë Hoti.

Edhe Emir Abrashi nga Demokracia Plus, thotë se liberalizimi i vizave tashmë nuk është në dorën e Kosovës. Megjithatë, thekson se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i ndalë përpjekjet që ta shtyjë përpara këtë proces.

“Do të duhej të punohej goxha shumë për realizimin e premtimit për liberalizimin e vizave, gjë që nuk është në dorën e Kosovës. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i ndal përpjekjet për ta shtyrë përpara këtë proces, aq më tepër kur kemi parasysh se kemi një përkrahje të madhe në këtë aspekt në Parlamentin Evropian”, thotë ai.

Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lëvizjen e lirë të qytetarëve.