​Kosova pa Qendër për Trajtimin e Djegieve, dhjetë persona janë dërguar deri më tani për trajtim në Turqi

​kosova-pa-qender-per-trajtimin-e-djegieve,-dhjete-persona-jane-derguar-deri-me-tani-per-trajtim-ne-turqi

Nga krerët e shtetit është thënë se sistemi shëndetësor nuk mund të funksionojë me “arnime”. Ndërkohë që janë pikërisht këta të fundit që po kritikohen për këtë gjendje.

Nga shpërthimi i bombolës së gazit më 5 janar në Ferizaj, kishte vdekur një vajzë, e cila nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. 20-vjeçarja ishte ndër katër personat që kishin shkuar për trajtim në Turqi. Rastet tjera, me lëndime më të lehta, po trajtoheshin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.

Ishte vet presidentja Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se sistemi shëndetësor nuk mund të mbijetojë me improvizime.

“Nuk mund të mbijetojë me improvizime dhe arnime… U njoftova se numri i përafërt i rasteve të djegies të cilët trajtohen këtu në QKUK është mbi 100 në vit që është një numër jashtëzakonisht i madh. Duhet të ketë një qendër të djegies ashtu siç i kanë spitalet në rajon dhe Evropë. Të vendoset si prioritet për cilindo planifikim të ardhshëm që bëhet për investim në sektorin e shëndetësisë”, tha ajo.

Në mesin e shumë kritikave për sistemin shëndetësor, ata që po mbrojnë të drejtat e pacientëve thonë se investimi në Qendrën e Trajtimit të Djegieve ofron siguri më të madhe të qytetarëve. Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thotë për KosovaPress se një gjë e tillë do të kursente edhe buxhetin e shtetit.

“Mendoj se shërbimi spitalor dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojnë mundësi që një qendër e tillë për djegie të bëhet në përputhje me nevojat shëndetësore të qytetarëve, pasi që garanton një siguri më të madhe për shëndetin e qytetarëve. Dhe e kursen buxhetin e tyre dhe buxhetin e shtetit”, thotë ai.

Përmes Fondit për Sigurimeve Shëndetësore deri më tani janë dërguar dhjetë persona në Turqi për trajtim, kur të njëjtit kanë përjetuar djegie të rënda.

“Në bazë të të dhënave që posedon zyra për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), deri tani janë përkrahur 10 pacientë me djegie të rënda, të cilët janë mbuluar 100% nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor nëpërmjet marrëveshjes ndërministrore Kosovë- Turqi për trajtimin e 100 pacientëve falas brenda një viti kalendarik ne shtetin e Turqisë”, thuhet në këtë përgjigje.

Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje, redaksia ka mbetur pa përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar dhe Ministria e Shëndetësisë.

Më tej, Kodra thekson se djegiet janë raste që lidhen me emergjencat dhe kërkohet një reagim i shpejt.

“Një qendër për djegiet e ka koston e vet për shkak se mund të shpëtohen shumë jetë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që shteti të marrë për bazë interesin e qytetarëve dhe të bëjnë një veprim të tillë. Fillimisht për të ruajtur jetën e qytetarëve, për të ruajtur buxhetin e familjarëve”, shton ai.

Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL konsideron se mungesat e shërbimeve shëndetësore janë cenim i të drejtave themelore të njeriut për qasje në shëndetësi. Sipas tij, nuk janë të rralla rastet kur kërkohet ndihmë prej vet qytetarëve për të krijuar fond për trajtim jashtë vendit.

“Rastet e djegieve nuk janë rast ekstrem, nga i cili nuk do të ndodhnin kurrë në Kosovë që të thuhet nuk kemi nevojë për profesionistë apo për ordinancë të detajuar në dermatologji për këtë çështje. Mungesa e investimeve edhe në infrastrukturë edhe këtu vjen edhe pjesa e analizave, laboratorëve të ndryshme edhe një investim direkt në menaxhimin e sëmundjeve pak më të rënda dhe një fond specifik është dhënë pikërisht për këto raste që të dërgohen jashtë vendit, tregon një pamundësi deri tash të shtetit që me ndërmarrë veprime praktike që të rregullohet situata”, thekson Hoxha.

Për më tepër, ai shton se vendi deri më tani nuk ka pasur prioritet investimin direkt në sistem të shëndetësisë.

“Vet fakti që qeveria jep parat e taksapaguesve në Turqi, Maqedoni dhe vende të ndryshme për trajtim tregon që deri tash prioriteti ka qenë që përmes mbështetjes financiare me zgjidh problemin, e jo përmes investimit direkt në sistem të shëndetësisë. Mendoj që si Lëvizje FOL rekomandimet tona janë gjithmonë që këto fonde të shfrytëzohen në ngritje të kapaciteteve të sistemit shëndetësor që trajtimi të bëhet këtu”, shprehet ai.

Hoxha, i cili është pjesë e Lëvizjes FOL vë në theks se jo të gjithë qytetarët kanë mundësi për trajtim jashtë vendit, marrë parasysh se ka kosto shtesë.

Ndryshe, në fillim të vitit, nga një shpërthim në Ferizaj kanë mbetur të lënduar mbi 40 persona, 14 prej të cilëve kanë marrë lëndime më serioze. Shpërthimi i bombolës së gazit në një restorant të qytetit, ngriti shqetësimin për shkak të përdorimit të madh të tyre në vend. Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte nisur hetimet. Të njëjtit nuk kanë njoftuar se çfarë ka ndodhur me këtë rast, pavarësisht interesimit të redaksisë.