​Komuniteti shqiptar do të organizojë protestë para konsullatës së Serbisë në Nju Jork, më 28 tetor

​komuniteti-shqiptar-do-te-organizoje-proteste-para-konsullates-se-serbise-ne-nju-jork,-me-28-tetor

Protesta ka të bëjë me ngritjen e zërit kundër Serbisë, e cila ka kryer krime në Ballkan, përmes spastrimit etnik, vrasjeve dhe dhunimeve, duke tentuar të ndërtojë ëndrrën e kamotshme hegjemoniste të Serbisë së Madhe.

“Ju ftojmë që të vini më 28 tetor 2021, në ora 12:00 në adresën: 62 W 45th St New York, NY, me qëllim që së bashku, si komunitet, ta alarmojmë bashkësinë ndërkombëtare dhe miqtë e Serbisë, se ne jemi këtu dhe nuk do të ndalemi para këtij shteti të ndërtuar mbi gjak, krime e gjenocide. Të nderuar bashkëkombës, duhet të dalim në numër sa më të madh para Konsullatës të Serbisë, ta ngrehim zërin para botës, duke publikuar dhe denoncuar krimet dhe shtetin, i cili mbështet dhe rehabiliton kriminelët e luftës. Ne, si komunitet shqiptaro-amerikan nuk do të rrimë në heshtje, por do ta ngrehim zërin për ata që u vranë, u dhunuan dhe u masakruan nga ky shtet kriminelësh”, thuhet më tej në njoftim.

Duke përkujtuar se historikisht Serbia ishte dhe mbetet shtet gjenocidial, komuniteti shqiptaro-amerikan thotë se Beogradi zyrtar sot me mentalitet fashizoid fle mbi varret masive gjithandej territorit të Serbisë.

“Serbia sot me ndihmën e Rusisë hegjemoniste të Putinit po vazhdon avazin e vjetër të ndërhyrjeve flagrante, duke destabilizuar shtetet e Ballkanit, të cilat kanë qëndrime dhe synime pro-perëndimore, duke ndërhyrë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë. Heshtja vret, prandaj planifikoni kohën tuaj, sepse viktimat e shkaktuara nga Serbia kërkojnë drejtësi. E ne këtu ku jetojmë në vendin me demokratik në botë nuk guxojmë assesi të heshtim. Është e drejtë jona dhe obligim kombëtar që para botes të kërkojmë drejtësi për gjakun e derdhur, për viktimat e pafajshme kundër krimeve që i ka bërë Serbia fashiste”, përfundon njoftimi.